“Lotët e nënës më prekën”, Eni Çobani flet për lajmin e rremë se ka ndërruar jetë: Do bëhem avokate për VIP-at që i “vdiqën”

Eni Çobani ka folur sot në emisionin “Wake Up” në Top Channel për lajmet që qarkulluan në disa media online, ku thuhej se ajo kishte ndërruar jetë. Gjatë një bisede telefonike, ajo u shpreh se nuk e dinte se kush janë ata që e kanë shpërndarë këtë lajm, megjithatë tha se ka vendosur që këtë çështje ta ndjekë në rrugë ligjore.

Juristja e njohur zbuloi gjithashtu se ka marrë shumë telefonata nga personazhe VIP, të cilët ajo thotë se është gati t’i përfaqësojë ligjërisht.

“Nuk e di fare se kush janë, do të mbaj fjalën që kam thënë që do të lejoj këtë javë të shikoj veprimin që ata do kryejnë. Dhe ditën e hënë kam vendosur që të paraqitem vetë në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë për të filluar unë vetë, nëse duan mund të më bashkohen edhe shumë të tjerë që më kanë telefonuar, kryesisht njerëz publikë. Unë jam e mirëpritur t’i përfaqësoj edhe ata sepse kjo gjë duhet të marrë fund. Nuk mund të bëhen të tilla lajme negative dhe që sjellin negativitet.”- tha ajo në “Wake Up.”

Si një njohëse e mirë e drejtësisë, Çobani u pyet edhe se çfarë parashikon ligji shqiptar në raste të tilla.

“Fakti është që unë me sa di në raste shumë të rralla kjo histori ka vazhduar deri në fund sepse ka një tërheqje nga organet e drejtësisë para këtyre portaleve nga frika e përkeqësimit të këtyre situatave. Duhet bërë një shembull. Është shumë e rëndësishme kush i financon, nga vjen ky guxim.”- tha avokatja.

Duke folur për momentin e parë që u përball me lajmin, Eni tha se ishte shumë e trishtuar më së shumi kur shikonte nënën e saj të përlotur.

“Ka javë që qarkullon ky lajm, nuk kisha hyrë për ta parë duke menduar që ky lajm nuk është i vërtetë. Por dy gjëra më kanë prekur deri në atë njoftim public, telefonata e një ish-protagonisti të “Shihemi në gjyq”, nuk isha dëgjuar me të prej kohësh, quhet Adil. Më merr në mëngjes dhe i drejtohem me emrin e dikujt tjetër, dhe më thotë që jam Fadili. Më tha tani jam i qetë që të dëgjova zërin sepse po qarkullon një lajm që nuk jeni më në jetë. Jam trishtuar. Pas kësaj prekja e nënës time, unë kam nënë gjallë dhe është në një moshë të madhe. Lotët në sytë e saj më prekën shumë”, ka përfunduar Eni Çobani./Gazeta Shqip

Advertisements